Një ndryshim i rëndësishëm ka ndodhur te kjo skuadër. Pol Pogba, talenti misterioz i Francës, duket se është kthyer me këmbë në tokë, diçka që mund të jetë vendimtare për të ardhmen. Vetë mesfushori i Mançester Junajtidit bëri një deklaratë të papritur dhe të sinqertë pas fitores ndaj Argjentinës, duke bërë një krahasim mes vetes dhe Kilian Mbapesë.
“Kiliani ka shumë më tepër talent sesa unë, – ishin fjalët e mesfushorit, – ai është kaq shumë i shpejtë. Ne nuk mund të krahasohemi”. Për hierarkinë tek Franca, foli pas kualifikimit edhe ish-ylli i mbrojtjes, Vili Sanjol. Ai theksoi se “Pogba e ka kuptuar më në fund, se nuk është ai ylli kryesor i kësaj skuadre”.
Sidoqoftë, loja shumë e mirë e mesfushorit nuk mbeti pa u vlerësuar. Ishte ish-lojtari i kombëtares dhe i Paris SG, Roten, që theksoi se “ndaj Argjentinës, shembullin kryesor e dhanë Pogba, Hernandez dhe Mbape”, duke lavdëruar lojën kolektive të ekipit të trajnerit Deshamp. Me shumë gjasa, kjo situatë tek Franca mund të bëjë që ajo të shfaqet më e fortë në çerekfinalen ndaj Uruguajit, duke pasur më shumë shanse për titullin botëror.
Pogba është kritikuar shpesh për mosimpenjimin në fushë dhe për vetëkënaqësinë, por tashmë gjendja është tjetër dhe Franca mesa duket ka shpëtuar nga e keqja e saj më e madhe ndër vite, klanet dhe përçarjet në ekip.
Sfidanti.al