Mesi e Ronaldo, “vëllezërit siamezë” të dështimeve në Kupat e Botës!

U mundën në të njëjtën ditë, si të ishin vëllezër siamezë. Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo dolën nga Botërori këtë të shtunë, dhe nuk dihet nëse do ta fitojnë ndonjë herë kupën e artë të FIFA-s. Njëri 31 vjeç e tjetri 33 po i afrohen fundit të dy prej karrierave më të lavdishme në histori, me vetëm një njollë, pa titull botëror. Franca e Uruguaj sikur thanë se turneu rus është kaq i mirë, sa nuk ka nevojë as për më të mirët në rruzull. Të dy superyjet që kanë dominuar dekadën, kanë pasur po ashtu fat të njëjtë, në botërorët e kaluar, gjithnjë të keq.

Në 2006, Argjentina dhe Mesi u eleminuan me penallti nga Gjermania vendase, në çerekfinale. Në 2010, ishte sërish Gjermania që mposhti kombëtaren e drejtuar nga Maradona, me Mesin yllin kryesor, këtë herë plot 4-0. Katër vjet më vonë, fatale për Mesin u bë edhe një herë Gjermania. Gjithsesi, argjentinasit arritën deri në finale dhe ishin më pranë se kurrë me titullin, veçse gjermanët superiorë fituan në fund.

Ronaldo po ashtu ka luajtur në 4 botërorë, ashtu si Mesi. Në 2006, Portugalia shumë e mirë e Dekos, Luis Figos e Ronaldos, u mund 1-0 nga Franca e Zidanit. Në Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010, rruga e Ronaldos u pre nga Spanja e madhe, që fitoi edhe titullin. David Vija përcaktoi ndeshjen e turit të dytë. Së fundi, në 2014, portugezët ishin më të dobët, duke u eleminuar në grup, pas humbjes me Gjermaninë 0-4, barazimit 2-2 me SHBA-në, e pavarësisht fitores 2-1 ndaj Ganës.

Sfidanti.al