Tifozët e Romës të dashuruar me kapitenin Granit Xhaka!

Shkëlqimi ndaj Francës e ndryshoi shumë gjykimin për të. Tashmë kemi një tjetër Granit Xhakë pas ndeshjes Francë-Zvicër, në krahasim me atë që ishte përpara saj. Kapiteni i zviceranëve u shpall lojtari më i mirë i sfidës së raundit të dytë të Europianit, duke ndihmuar ekipin që të kualifikohej për në çerekfinale, dhe tashmë ka famë tjetër. Mediat italiane njoftojnë se tifozët e Romës janë të dashuruar me shqiptarin nga Kosova, dhe mezi presin që klubi i tyre ta marrë nga Arsenali. Edhe vetë mesfushori 28-vjeçar e ka shprehur qartë se çfarë dëshiron, ndërsa së fundmi theksoi se “të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson Roma”.

Zhoze Murinjo u vu në kërkim të ish-kapitenit të Arsenalit që ditën e parë që u konfirmua në stolin e skuadrës së Serisë A. Portugezi vlerëson lart karakterin e Xhakës, energjinë e tij dhe faktin se ai është gjithnjë besnik i trajnerit, në çdo skuadër që ka luajtur. Problemi i vetëm është që të arrihet akordi me Arsenalin, i cili kërkon mbi 20 milionë euro për kartonin. Vetë mesfushori ka rënë dakord për një kontratë 5-vjeçare me 2.5 milionë euro në sezon, plus shpërblimet, shumë më poshtë sesa pagesa prej 5.2 milionë paundësh stërlina në vit tek Arsenali. Granit Xhaka është gati të bëjë sakrifica financiare, mjaft që të largohet nga Arsenali dhe të provojë një aventurë të re në Itali me Romën.

Sfidanti.al