Kriza e Holandës, ndërron pesë trajnerë në 7 vjet!

Frenk De Buri ishte thjesht emri në radhë për të ikur. Tekniku i “tulipanëve” u bë “kokë turku” pas eleminimit të Holandës që në raundin e dytë në Euro 2020, ndërsa e ardhmja duket e paqartë. Një skuadër me tradita të shkëlqyera dhe me suksese të arritur me Rinus Mishelsin, Gus Hidinkun apo Luis Van Galin, sot është katandisur keq e më keq. Sukseset e fundit ishin në 2014, kur u arrit gjysmëfinalja e Kupës së Botës me Van Galin me eleminimin vetëm pas penalltive me Argjentinën.

Prej 7 vjetësh ka vetëm krizë. Pas ikjes së Van Galit u kthye Hidink, por që u dorëhoq pas një viti në 2015. Në vend të tij erdhi Dani Blind, ndihmësi i Hidinkut, por pas dështimeve u largua në 2017. Dik Advokat u kthye në kombëtare, veçse rezistoi vetëm 1 vit dhe pastaj erdhi Ronald Kuman. Me të, Holanda u përmirësua dhe arriti finalen e Ligës së Kombeve, mundur 0-1 me Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Në 2020, Kuman dha dorëheqjen dhe shkoi tek Barcelona, ndërsa Federata emëroi Frenk De Burin. Tashmë, dështimi në Euro 2020 bëri që të shkarkohej edhe ky.

Sfidanti.al