Interesimi i napolitanëve për ndeshjen në “Santiago Bernabe” mes Realit të Madridit dhe Napolit është kaq i madh, saqë ka nga ata që janë gati të bëhen tifozë zyrtarë të Realit, vetëm që të mund të sigurojnë bileta! Një interesim kolosal mbizotëron, këto ditë, në Napoli, për ndeshjen me Realin në kuadrin e Ligës së Kampioneve. Ky klub italian ka siguruar për tifozët e vet vetëm 3917 bileta, por informacionet me të fundit thonë se edhe 6000 tifozë të tjerë të Napolit do të shkojnë në Madrid dhe se një numër prej tyre do të shfrytëzojë çdo mënyrë për të arritur deri te “copa e shtrenjtë e kartonit” (bileta).
“Disa tifozë kanë arritur që të marrin bileta që u kanë siguruar atyre miqtë tyre midis tifozëve të Realit, ndërkohë që ka edhe nga ata që kanë shpenzuar para shumë të mëdha që të sigurojnë bileta VIP. Po ka edhe nga ata tifozë të Napolit, të cilët nuk janë të paktë dhe që kanë paguar, përmes internetit, kuotën përkatëse të anëtarësimit që të bëhen tifozë zyrtarë të Realit të Madridit dhe, në këtë mënyrë, të mund të sigurojnë bileta”, vinte në dukje, sot, gazeta italiane “Gazzeta delo Sport”. Kështu që pritet që në Madrid të shkojnë rreth 10 000 tifozë të Napolit, ndoshta, edhe më shumë, por vetëm gjysma e tyre do të mund të arrijë që të futet në stadium që ta mbështesë direkt ekipin e zemrës.
Sfidanti.al