Skandal: Në ndeshjen SHBA – Gjermani ekzekutohet himni nazist!

Shoqata e Tenisit të SHBA-së kërkoi falje, pasi, në ndeshjen e fundit, të zhvilluar në Havaji, në kuadrin e Kupës së Federatave, mes ekipeve të SHBA-së dhe të Gjermanisë, u ekzekutua versioni i vjetër i himnit gjerman që fillon me fjalët: “Gjermania mbi të gjitha”! Ky variant himni u ekzekutua në prag të ndeshjes së raundit të parë mes tenisteve Andreja Petkoviç që përfaqësonte Gjermaninë, dhe Alison Riske të SHBA-së. “Ky episod është absolutisht ofendues”, deklaroi tenistja Petkoviç.

“Kënga për Gjermaninë” u bë himn zyrtar i Republikës së Vajmarit (Gjermanisë së atëhershme) në vitet 1920, por, mbas Luftës së Dytë Botërore, strofa e tij e parë me fjalët “Gjermania mbi të gjitha” u hoq nga himni gjerman që, tani, fillon te strofa e tretë që i thurr lavde “unitetit, drejtësisë dhe lirisë”. Në deklaratën e shoqatës amerikane të lartpërmendur, vihet në dukje se asaj i vjen, me të vërtetë, shumë keq lidhur me atë që ndodhi, se ajo u kërkon falje sportistëve e tifozëve dhe se një gabim i tillë nuk do të përsëritet në të ardhmen. Kupa e Federatave është konkurrimi ekipor ndërkombëtar më i rëndësishëm në tenisin e femrave. Ndeshja mes tenisteve Petkoviç dhe Riske përfundoi me fitoren e amerikanes 7-6, 6-2.

Sfidanti.al