Sarri-Juve, nga mungesa e klasit tek sulmet për tradhëti!

Një pjesë e tifozëve e bënë “sikter” që në fillim. Nuk është e lehtë, pra, për Mauricio Sarrin, të hyjë në zemrën e juventinëve, të paktën të një pjese prej tyre, por problem qenka edhe me ish-drejtues të lartë. Presidenti i disa viteve më parë, Xhovani Koboli Xhili, lëshoi të njëjtat akuza si ato të disa tifozëve, pasi Sarri hodhi tej kapelen dhe e shkelmoi, në stërvitjen përpara finales së Ligës së Europës në Baku.

“Sarri nuk ka klas, – tha ai, – një njeri që kur nxehet hedh kapelen përtrokë dhe ofendon, nuk di të komunikojë. Kur ka folur për Juventusin, ka ditur të thotë vetëm fjalë të këqija”. Gjithsesi, Koboli Xhili theksoi se “si tifoz jam kundër ardhjes së Sarrit, por si drejtues, ndoshta jam pro”. “Klubi dëshiron që të shfrytëzojë investimin e bërë me Ronaldon, në mënyrë më spektakolare, dhe prandaj u duhet një trajner që luan futboll sulmues, – ishin fjalët e ish-presidentit, – këtë ka menduar edhe presidenti i sotëm, Andrea Anjeli, por po ju them që avokati Anjeli i dikurshëm, nuk do ta merrte Sarrin trajner”.

Përveç këtyre sulmeve nga Torino, ja ku vijnë edhe shigjeta nga Napoli. Lorenco Insinje, që nga grumbullimi me kombëtaren, deklaron se “nëse Sarri shkon tek Juvja, do të thotë se bën tradhëti për ne napolitanët, shpresoj që të ndërrojë mendje”. “Gjithsesi, si trajner e vlerësoj shumë lart, – vazhdoi Insinje, – është profesionist dhe dha gjithçka nga vetja, ishte shumë i rëndësishëm edhe për mua”. Ja edhe polaku Zielinski, që është kundër akordit Sarri-Juve: “Nëse e bën këtë gjë, nuk do t’ia hap kurrë telefonin, nëse me thërret”.

Sfidanti.al