Trajneri i zikaltërve, Stefano Pioli, nuk e fsheh zhgënjimin për barazimin kundër Milanit. Goli i Zapatës në minutën e 90-të ka një ndjesi të surprizës. “Arbitri i katërt më komunikoi që ndeshja do të përfundojë në minutën 96 e 30 sekonda, por le të themi se ndeshja mbaron atëherë kur arbitri fishkëllen fundin e lojës”, shprehet i frustruar trajneri i Interit.
“Nga ana tjetër, ne duhej të ishim më të kujdesshëm dhe skuadra nuk duhet ta mendojë asnjëherë se e ka fituar ndeshjen, por duhet të qëndrojë e vëmendshme deri në fund të lojës. Është me të vërtetë një mëkat, pasi ishim duke bërë një ndeshje shumë të mirë, pavarësisht vështirësisë së saj. Na vjen shumë keq, pasi është një derbi, ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë interistët, dhe do të ishim përpara tyre në renditje”.
Keqardhja shikohet te Pioli dhe ai nuk përpiqet ta fshehë: “Ishte një ndeshje e vështirë ku kemi vuajtur, kemi provuar të jemi agresivë në startin e ndeshjes, duke u lënë shumë hapësira kundërshtarëve, por më pas jemi mbrojtur më mirë, duke dalë përpara me anë të kundërsulmeve. Zgjedhjet e mia kanë qenë të sakta, më vjen shumë keq që kemi pësuar dy gola nga goditja e këndit, duhet të bëjmë diçka më shumë në këtë pjesë”.