Nuk ka alegri në shtëpinë e Alegrit tek Juventusi. Çfarë nuk shkon tek kampionët e Italisë që sa hap e mbyll sytë dalin fjalë për një divorc të paralajmëruar. Janë të parët në klasifikim, dominojnë sipas qejfit në futbollin italian dhe në horizont është shfaqur edhe trofeu i gjashtë radhazi i kampionatit italian. Atëherë, pse ka dyshime për Alegrin në kokat drejtuese të klubit torinez, sidomos pas humbjes në finalen e Superkupës me Milanin. Ka tradhëtuar trajneri në atë ndeshje dhe futbollistët kanë marrë pafajësinë?
Për momentin, gjëja më e rëndësishme është se si Juventusi të shkojë përpara, duke lënë të ftohet pak pjata e nxehtë e Superkupës, aty ku shpërthyen aludimet se “kokat kampione” po mendojnë të sjellin në klub një trajner me dorë të hekurt si Diego Simeone. Edhe sikur përrallë të ishte, sapo dëgjon emrin e argjentinasit të paepur, ka shumë arsye të besosh tek fjalët e përhapura se Juventusi dhe Simeone mund të bashkohen në të ardhmen. Kjo, ndofta, ngaqë edhe ngjasojnë shumë për nga karakteri dhe nevoja për një amalgamë.
Sfidanti.al