Milani i shkretë, as Krishtlindje dhe as pushime familjare në Vit të Ri

Vite më parë, Estrada e Durrësit vuri në skenë një pjesë humori ku me tallje këndohej “asi kongë, asi valle, vetëm punë”. Tallja ishte për dënimin që gjoja u jepej punëtorëve që nuk punonin siç duket, por në rastin e Milanit në Itali, nuk po bëhet shaka. Klubi kuqezi deklaroi se skuadra nën drejtimin e stafit teknik do të grumbullohet duke nisur nga dita e sotme dhe do të mbetet në hotel, larg familjeve, për një kohë të pacaktuar.

Nuk është e qartë nëse vendimin e kanë marrë drejtuesit e klubit apo trajneri Gatuzo, por besohet se e kanë bërë të parët dhe trajneri ka qenë dakord. Festat e fundvitit, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, futbollistët milanistë nuk do t’i festojnë siç i kishin menduar, ndërsa grumbullimi vjen si ndëshkim për ecurinë negative të ekipit, që ka mbetur 14 pikë pas zonës Champions në Serinë A, dhe 18 pikë pas Napolit kryesues.

Jo vetëm kaq, por Milani ka anuluar edhe darkën e përvitshme për Krishtlindjet, një ndëshkim i qartë për lojtarët, ndërsa besohet se gjatë grumbullimit do të mund të punohet në qetësi për të ndryshuar situatën. Kjo do të shihet që në ndeshjen e radhës, atë për javën e 18-të, ndaj Atalantës në “San Siro”, në 23 dhjetor, që do të jetë edhe ndeshja e fundit e vitit.

Sfidanti.al