Milan më në fund fiton, por Atalanta ka epërsi për Championsin

Hakan Çalhanoglu, njeriu që shënoi golin e dytë të Turqisë ndaj Shqipërisë në “Loro Boriçi”, realizoi një tjetër rrjetë të rëndësishme duke i dhënë Milanit fitoren minimale në Firence. Suksesi 1-0 ndaj Fiorentinës në Serinë A, do të thotë shpresë për t’u kualifikuar në Champions edicionin e ardhshëm, edhe pse trajneri Gatuzo e di se skuadra e tij nuk e ka në dorë fatin e saj.

“Jam i lumtur për fitoren dhe për reagimin, – tha ai pas ndeshjes, – por është gjithsesi pak për ne. Duhet të gabojnë të tjerat që të kemi shans për të shkuar në Champions. Më vjen keq që nuk po i gëzojmë tifozët, por të paktën sonte u dhamë një fitore”. U deshën madje pritjet e portierit Donaruma për të marrë tri pikët.

Në “pole position” për të shkuar në Ligën e Kampionëve është ajo skuadër që në fillim nuk mendohej, Atalanta e trajnerit Gasperini. Fitoi në mënyrë komode në fushën e saj ndaj Xhenoas, 2-1, duke pësuar gol fare në fund. Barrou dhe Kastanje ishin autorët e golave, ndërsa Berat Gjimshiti ishte edhe një herë titullar, e Etrit Berisha në stol.

Fitore edhe për Lacion, 2-1 në fushën e Kaljarit, me gola të Luis Albertos dhe Hoakin Korreas. Tomas Strakosha nuk luajti në këtë ndeshje, besohet për shkak dëmtimi. Atalanta ka 65 pikë ndaj 63 të Interit që luan këtë të diel, e 62 të Milanit, ndërsa Roma ka 59 pikë (-1 ndeshje) e Lacio 58.

Sfidanti.al