“La Gazeta delo Sport” për Milanin: “Djalli” nxjerr bishtin!

Ky ekip po nis që të merret më në fund seriozisht. Kishte të paktën 9 vjet që Milani nuk cilësohej favorit apo kandidat i madh për titullin në Serinë A, madje edhe kur dukej se ishte pranë, siç ndodhi vjet. Tashmë, nuk është më kështu. Jo vetëm fitorja 2-0 ndaj Lacios në “San Siro”, por sidomos mënyra e lojës dhe personaliteti në fushë bënë që mediat dhe analistët të ndryshonin “muzikë”. Po, Milani i trajnerit Stefano Pioli është pretendent i fortë për “skudeton” këtë sezon.

“Djalli nxjerr në pah bishtin”, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, duke pasur në kopertinë foton e Ibrahimoviçit, të cilit i duket bishtaleci, e shton se Lacio u dominua! “Bishtaleci i shenjtë”, – komenton edhe “Il Korriere delo Sport”, – Milani mund Lacion e rigjen Ibrën! Menjëherë gol me modelin e ri të flokëve”.

“Jam shumë i kënaqur për fitoren, por sidomos për lojën tonë, – tha Pioli, – Tifozët na ndihmojnë dhe na japin energji, por është edhe mënyra jonë e lojës është e bukur për t’u parë dhe i kënaq tifozët. Është vetëm fillimi, por duhet të jemi të kënaqur, ndonëse duhet të të punojmë shumë që të konkurrojmë me më të mirët”.

Sfidanti.al