Njëherë e një kohë ishin treguesit e pozicionit të futbollistëve në fushën e lojës, kurse në ditët e sotme fshehin histori apo kanë domëthënie personale. Numrat në fanelat e futbollistëve po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe dhe ndoshta për këtë ditët e fundit te Milani u krijua një lloj tensioni mes Kessie dhe Bonuccit për fanelën me nr.19, fanelë të cilën Kessie ia la mbrojtësit të përfaqësueses italiane. Në fund Kessie zgjodhi të luajë dhe të shënojë ndaj Bayernit me fanelën me nr.79. Në të vërtetë mesfushori nga Bregu i Fildishtë është i lidhur me nurmin 19; është dita e lindjes së tij, 19 dhjetor 1996, është data e mbërritjes në Itali, por ajo që ka më shumë rëndësi është dita kur i ati u nda nga jeta. Një numër që e mbajti në fanelën e tij edhe në sezonin e kaluar kur ishte pjesë e Atalantës . Por në 14 korrik, Milani bleu Bonuccin që në rrjetet sociale u prezantua me hashtagun #LB19, hashtag që fillimisht u krijua nga Cristiano Ronaldo #CR7 dhe që u imitua edhe nga futbollistë të tjerë. Por edhe Bonucci është i lidhur me numrin 19, pasi ndër të tjerat 19 është pikërisht data e lindjes së bashkëshortes së tij. Në betejën mediatike që u bë, Kessie ia la këtë numër Bonuccit me vullnetin të plotë dhe kjo edhe falë një bisede me nënën e tij. Kjo e fundit mësohet se i tha Kessie që të fokusohet te karriera si futbollist dhe të përmirësohet dhe të mos mendojë për numrat. Zgjedhja e 79 është për efekt të grafikës; është numri që ngjason me 19, një zgjedhje ‘alla Zamorano’ që kur i dha nr.9 Ronaldos, vetë zgjodhi 18 duke i shtuar edhe një + në mes.
sfidanti.al