Juventus, nga Alegri tek Sarri është vështirë të ndërrosh “lëkurën”!

Nuk mund të bëhen trajnerë më të ndryshëm sesa këta të dy, përkatësisht “ish”-i i larguar, dhe njeriu aktual i stolit. Masimiliano Alegri dhe Mauricio Sarri janë dy emra të njohur të trajningut, por thuajse pa asnjë pikë takimi, dhe Juventusi ka zgjedhur ta bëjë rokadën pikërisht me ata. Pas humbjes në Veronë, dyshimet për të ardhmen e Sarrit u rritën, dhe kompania SNAI e uli koeficientin e shkarkimit në 7.5.

Gjithsesi, një njeri si Sarri ka nevojë për kohë, edhe nëse tek Juvja mendojnë se kjo kohë nuk ekziston. Siç sqaron “La Gazeta delo Sport”, ish-trajneri i Napolit dhe i Çelsit është nga ata që punon vetëm në fushën e stërvitjes, me skemat dhe idetë e tij fikse, duke u stërvitur vazhdimisht e vazhdimisht për të krijuar automatizmat e tij. Kështu pati sukses tek Napoli, ndërsa tek Çelsi nuk i dhanë kohë, ndonëse u kualifikua për në Champions dhe fitoi Ligën e Europës.

Alegri veproi ndryshe dhe e nisi me 3-5-2 të Kontes, për të ndryshuar dalë nga dalë tek mbrojtja me katër. Sarri kërkon një mbrojtje me 4, por më agresive, më larg portës së tij. Ai largoi Manxhukiçin dhe Emre Xhanin, ndërsa është gjithnjë në pikëpyetje për të aktivizuar treshen e sulmit Ronaldo-Higuain-Dibala. Rrjetet sociale janë të ndara, por padyshim Sarri rrezikon jo pak, sidomos nëse nuk do të arrijë të fitojë titullin kampion.

Sfidanti.al