Hysaj dhe Berisha dalin të mundur, Napoli e SPAL-i nuk kanë fat në Serinë A!

Ishte një ndeshje që normalisht duhej ta kishte fituar. Jo vetëm që nuk ia doli, por ndodhi më e keqja, Napoli u mund në “San Paolo” ndaj Leçes modeste. Puljezët arritën edhe fitoren e dytë ndaj napolitanëve në dy ndeshje të këtij sezonit të Serisë A, duke i kthyer në krizë vetëm pak ditë pas fitores së madhe ndaj Juventusit. Elseid Hysaj u la këtë herë në stol nga trajneri Xhenaro Gatuzo, edhe pse  nuk mund të thuhet se ishte kjo arsyeja e humbjes.

Vendasit humbën raste të pastër, dhe në futboll nëse nuk shënon, ndëshkohesh. Leçe e trajnerit Liverani kishte me vete edhe fatin, duke shënuar gola tepër të bukur. Xhanluka Lapadula ishte heroi i miqve, me dy rrjeta, ndërsa një tjetër u realizua nga Marko Mankosu. Nuk mjaftuan për vendasit Arkadiush Milik dhe Hoze Kajehon.

Napoli mbetet në kuotën e 30 pikëve, 12 pikë larg zonës Champions, dhe me dyshime nëse kjo skuadër mund ta marrë veten nga përçarjet e këtij sezoni. Përveç Hysajt, edhe një tjetër shqiptar humbi në Serinë A, veçse duke qenë në fushë.

Ky ishte Etrit Berisha, portier titullar tek SPAL-i, që u mposht në shtëpi nga Sasuolo, ndonëse nuk luajti keq dhe nuk pati faj për golat e pësuar. Edhe pse shënuan me anë të Bonifacit, vendasit u përmbysën nga rrjetat e Kaputos me penallti dhe Xheremi Boga.

Sfidanti.al