Reali i vërtetë është ky i spektaklit në La Liga, jo ai i Kupës!

Harrojeni atë që ndodhi para pak ditësh. Reali i Madridit nuk është ai që u eleminua nga Sociedadi madje brenda në “Santiago Bernabeu”, por skuadra që po krijohet sipas shijeve të trajnerit të saj, Zinedin Zidan. Suksesi 4-1 në fushën e Osasunës ishte përgjigja më e mirë për aksidentin e mesjavës, dhe u arrit jo vetëm me përmbysje, por edhe me futboll spektakolar.

Për lumturinë e Zidanit, ai që shkëlqeu më shumë ishte ai tek i cili dyshohej më shumë, Isko, që dirigjoi ekipin dhe që shënoi edhe një gol. Bashkë me të, realizuan kapiteni Sergio Ramos, lojtari ofensiv Lukas Vaskez dhe sulmuesi Luka Joviç. Kjo do të thotë se madrilenët kanë tani 52 pikë, duke mos qenë të arritshëm nga Barcelona, ndërsa gjëja e vetme negative e sezonit ka të bëjë me barazimet e shumta, plot 7 në 23 javë kampionat.

Zidan ka tashmë një mbrojtje të stabilizuar ku zbulimi është francezi Mendi, një mesfushë ku mund të lerë në stol edhe një yll si Toni Krosi, si dhe një sulm ku bëjnë rotacion Benzemaja, Bejli, Joviçi, Vinisiusi, Rodrigezi apo Lukas Vaskezi.

Padyshim La Liga është ende e gjatë, dhe mungojnë edhe 15 ndeshje deri në përfundim, por Reali mund të quhet pa asnjë dyshim si favoriti për të fituar titullin. Edhe ky është një sukses në vetvete, pasi prej 12 vjetësh, kandidat numër 1 ka qenë Barcelona e Lionel Mesit.

Sfidanti.al