Me presidentin e klubit trajnerët e kanë të vështirë të shkojnë mirë, dhe kështu ka ndodhur me Rejën, Sarrin, Benitezin, madje deri diku edhe me Ançelotin, ndërsa nuk bën përjashtim as Xhenaro Gatuzo. Gjithsesi, legjenda e Milanit është nga ata luftëtarë që nuk tërhiqen kurrë, edhe nëse janë të destinuar të humbasin. Napoli i “Ringios” fitoi në Firence 2-0, dhe mbajti gjallë ëndrrën Champions, ndërsa i mbetet edhe ndeshja e fundit ndaj Veronës. Një fitore dhe gjithçka merr fund siç duhet, ndryshe nga ajo që ndodhi 3 vjet më parë kur titulli u humb në fund, pavarësisht fitores në Torino ndaj Juventusit.
Gatuzo nuk ka dashur të flasë për të ardhmen, thjesht është përqëndruar tek fundi i sezonit, ndërsa i bëri një përgëzim të madh lojtarëve pas suksesit në “Artemio Franki”. “Një fitore karakteri, – tha ai, – jam shumë i lumtur për lojtarët e mi. Një skuadër e madhe dallohet nga vazhdimësia. Pas fitores 5-1 me Udinezen duhej të përsëriteshim”. Presidenti De Laurentis po ashtu nuk bën polemika, dhe e di se nuk është momenti për to. “Një fitore e madhe, – komentoi numri 1 i klubit në Tuiter, – gjithsesi, duhet përqëndrim maksimal sepse nuk kemi arritur ende asgjë. Forca Napoli gjithmonë!”
Sfidanti.al