Ka kërshëri për pritjen që tifozët anglezë do t’i rezervojnë Sergio Ramosit, ndërsa Anglia ndeshet me Spanjën në Ligën e Kombeve. Kapiteni i “furive të kuqe” dhe i Realit, do të shkelë në tokën angleze për herë të parë që pas finales së Championsit, ku ai ishte “meritor” në dëmtimin e Mohamed Salahut të Liverpulit.
Edhe pse nuk luhet në “Anfild” të Liverpulit, por në “Uembli” të Londrës, sërish besohet që nuk do të mungojnë mallkimet dhe sharjet për mbrojtësin e qendrës, që mbrëmjen e fundit zhvilloi stërvitjen e zakonshme në ish-stadiumin perandorak britanik.
“Unë e kam ndërgjegjen të qetë, – tha ai në konferencën për shtyp, në krah të trajnerit Luis Enrike, – kurrë nuk kam menduar të dëmtoj një koleg në fushën e lojës, ndaj nuk më vret ndërgjegja për atë që ndodhi atë natë. Në fund të fundit, kjo nuk do të ndikojë në paraqitjen time”. Ramos mburri tifozët anglezë duke i quajtur objektivë, dhe se ata i japin secilit hakun.
Sfidanti.al