Ronaldinjo ka vendosur: “Më 2018, do të dal në pension”

Dikur futbollisti më i mirë i botës, braziliani Ronaldinjo Gauço, njoftoi vendimin e tij që “t’i varë në gozhdë këpucët”, më 2018. Ish-legjenda e Barcelonës dhe e Milanit ka dy vite pa klub, qëkur u largua nga Fluminensa mbas vetëm tre muajsh, por, tani, ai dëshiron që të bashkohet me ndonjë klub tjetër, më qëllim që vitin tjetër t’i thotë lamtumirë futbollit në fushë.

“Them që karrierën time ta përfundoj vitin tjetër, më 2018. Ka mundësi që karrierën time ta përfundoj në ndonjë klub, në të cilin unë kam luajtur tanimë. Kur të tërhiqem nga futbolli, do t’u përkushtohem shkollave të futbollit ose projekteve muzikore. Kjo do të jetë diçka e re për mua”, tha Ronaldinjo që, gjatë dy viteve të fundit, ka luajtur vetëm në ndeshje ekzibicioniste, anekënd botës, madje, ka luajtur edhe rolin e ambasadorit të Barcelonës. Tani, 37 vjeç, Ronaldinjo karrierën e tij e ka filluar te Gremio i Brazilit, ndërsa, më pas, ka luajtur me PSZH-në dhe Barcelonën, ku edhe e fitoi famën e madhe dhe titullin e futbollistit më të mirë të botës, ndërsa, më vonë, ai ka luajtur me Milanin, Flamengon, Atletikon e Mineiros, Keretaron meksikane dhe Fluminensen. Si lojtari më i mirë në botë ai është shpallur, më 2004 dhe 2005.

Sfidanti.al