Talent, dëmtime dhe përplasje për racizmin në “Etihad”

Ishte një mbrëmje futbolli pa tifozë në stadiumin e Mançester Sitit, por nuk mund të thuhet aspak se nuk u ndoq. Miliona njerëz në Britaninë e Madhe e jashtë saj, përcollën sfidën e Premier Ligës mes kampionëve dhe Bërnlit, fituar 5-0 nga vendasit.

Trajneri Pep Guardiola pati kënaqësinë e lojës së mirë e të fitores, shqetësimin e dëmtimit serioz të Kun Agueros (“kjo nuk duket aspak mirë”, tha trajneri), si dhe të shkëlqimit të talentit të Fil Fodenit. Djaloshi i ri shënoi dy gola, dhe ish-ylli i Liverpulit e ish-trajneri Graem Sunes, deklaroi se “ai është një i ri me botën nën këmbët e tij, ai do të bëhet një yll i vërtetë”.

Gjithsesi, në “Etihad” tërhoqi vëmendjen edhe diçka tjetër, që ishte jashtë futbollit. Disa tifozë të Bërnlit ngritën në ajër një banderolë ku shkruhej “jetët e të bardhëve vlejnë”, si një lloj kundërpeshe për lëvizjen “jetët e zezakëve vlejnë”. Guardiola, u bashkua me mendimin e teknikut të Bërnlit, Shon Dajsh.

“Padyshim që jetët e të bardhëve vlejnë, por po ashtu vlejnë edhe jetët e zezakëve, – tha trajneri i Sitit, – të gjitha qeniet njerëzore vlejnë. Jemi njësoj. Nga këto probleme, mendoj se do të na ndihmojë edukimi, arsimimi, gjithçka nis në stol”.

Bërnli e dënoi veprimin e disa tifozëve të tij, ndërsa banderola më shumë sesa në mbrojtje të jetëve të të bardhëve, u duk një lloj shfaqjeje racizmi, përkundër barazisë së kërkuar të racave.

Sfidanti.al