Të realizosh një kryevepër, edhe kur presioni është maksimal, kjo tregon shumë. E bëri Mançester Siti në derbin ndaj Mançester Junajtidit, por edhe pas fitores së madhe 4-1 gara për titull në Angli nuk ka përfunduar aspak. Kampionët në fuqi të Pep Guardiolës janë vetëm 6 pikë larg Liverpulit të Jurgen Klopit, të cilët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. Duhen edhe 10 javë deri në fund, edhe 30 pikë në lojë, ndërsa dy rivalët janë në formë të shkëlqyer. Siti dominoi në stadiumin “Etihad” sidomos pas pushimit aq sa ndonjëherë duket se fitorja është formalitet.
“Kjo gjë më bezdis, – protestoi Guardiola, – po krijohet përshtypja që Siti vetëm fiton, që tani gjithçka ka përfunduar. Unë nuk mendoj kështu, gjithçka mbetet e vështirë. Pjesa e dytë ishte ndoshta niveli më i lartë që kemi luajtur ndonjëherë. Ne po luftojmë për titullin me kundërshtarin më të fortë që unë kam pasur ndonjëherë. Të luftosh me Liverpulin për trofe, kjo është gjëja më e vështirë dhe është suksesi im më i madh në karrierë”.
Analistët si Roi Kin, Geri Nevil apo Mikah Riçards e vlerësuan lart Sitin, ndërsa theksuan se gjithsesi gara për titull është e hapur. Liverpuli nuk do të dorëzohet deri në fund. Sidomos ish-kapiteni i “djajve të kuq”, Roi Kin pati kritika të ashpra për Mançester Junajtidin, ndërsa në “Old Traford” është krijuar një problem. Kristiano Ronaldo u la jashtë derbit në minutën e fundit, e u tha për dëmtim, por burime në ekip thonë se portugezi u largua për në Portugali, e ndoshta ka një tjetër krizë me trajnerin Rangnik.
Duke u kthye tek gara për titull, trajneri i Liverpulit, Klop, foli ashtu si Guardiola. “Jam i kënaqur me ekipin, – tha Klopi, – arritëm fitore të vështirë e të merituar me Uest Hemin, patëm edhe fat. Jam shumë i lumtur me rezultatin, ndërsa nuk dua të flas për titullin tani”. Mançester kryeson Premier Ligën me 69 pikë në 28 ndeshje, Liverpuli ka 63 me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al