Çdo trajner ka sekretet e tij të suksesit, por duket se Antonio Konte mund të jetë ndër më të veçantët. Në ndryshim nga patrioti i tij më i vjetër, Trapatoni, që vërshëllente, trajneri i Çelsit ka dëshirë të ulërasë, siç thonë në Shkodër, “me gishta në vesh”. Mediat londineze raportojnë se ai ka marrë masa që të mos ngjiret shpejt, dhe ka nisur të “importojë” ilaçet që do t’ia mbajnë në formë kordat zanore. Bëhet fjalë për “Ambrozoli” me mjaltë që ai i merr nga vendlindja e tij, sepse në Angli nuk mund të gjenden. Mesa duket, trajnerët anglezë nuk e kanë traditë që të bërtasin kaq fort.
Shumëkush do të thoshte se Çelsi i Kontes po fiton sepse ka ndryshuar skema, me modulin me 3 mbrojtës dhe me 5 mesfushorë. E vërtetojnë shifrat, pasi blutë e Londrës kanë arritur 4 fitore radhazi, kanë shënuar 11 gola dhe nuk kanë pësuar asnjë që kur Konte ndryshoi skemën. Gjithsesi, nuk mund të hidhet poshtë mënyra sesi italiani motivon lojtarët e tij. Trajneri e ka zakon ta bëjë këtë me ulërima, ndaj kordat e zërit duhen ruajtur po aq mirë sa perfeksionohen skemat në stërvitje.
B. K