Rashford shënon 50 gola më shpejt se Ronaldo, tifozët të pakënaqur!

Ajo që ai bën duket gjithnjë e pamjaftueshme. Zhoze Murinjo e thumboi duke thënë se “nuk do të jetë kurrë një numër 9 i vërtetë”, dhe tifozët e Mançester Junajtidit nuk janë të lumtur sa duhet me Markus Rashfordin. Kjo, edhe pse statistikat e tij nuk kanë të sharë. Sulmuesi 21-vjeçar arriti në shifrën e 50 golave për “djajtë e kuq” më shpejt sesa një legjendë si Kristiano Ronaldo, dhe është habi që as kjo nuk mjafton.

Po ashtu, futbollisti i Anglisë ka më shumë gola dhe asistë këtë vit sesa Harri Kejni apo Sadio Mane, duke qenë baraz me të tillë si Rahim Stërling dhe Mohamed Salah. Gjithsesi, duket se entuziazmi për të ka qenë kaq i madh, saqë ato që bën tani nuk kënaqin plotësisht. Rashford u aktivizua shumë i ri në ekipin e parë të Mançester Junajtidit, dhe sot që është 21 vjeç ka një përvojë të pazakonshme për moshën e tij. Besohet se shkëlqimi i tij errësohet edhe nga fakti se vetë Junajtidi nuk është aspak në pozita të mira. Kur ekipi dështon, nuk vlen as kontributi i yjeve.

Sfidanti.al