Parashikimi i Henrisë: Kejn do ta thyejë rekordin e Shirerit!

Një rival “u hoq qafe” dhe ky ishte Kun Aguero. Sulmuesi legjendar argjentinas u largua nga Mançester Siti duke mbetur në kuotën 184 gola në Premier Ligë, pra në vendin e katërt për të gjitha kohët, pa e rrezikuar “mbretin e golit”, Alan Shirer. Ish-ylli i Njukasëllit dhe i Blekbërnit realizoi 260 rrjeta në karrierën e tij në Premier, dhe as Uejn Runi nuk e mbërriti dot (208 për Evertonin e Man. Junajtidin). Gjithsesi, një mëtues i ri është në radhë dhe ky është Harri Kejn. Kapiteni i Totenhemit ka 166 gola pasi realizoi 23 këtë sezon që u mbyll, ndërsa është ende në moshë relativisht të re. Tieri Henri, njeriu që mban vendin e 6-të në këtë renditje me 175 gola, parashikon që Kejni do ta kalojë Shirerin. “Kejni e ka treguar veten disa vjet me radhë, – tha francezi, – ai besoj se do t’ia dalë, siç do të thyejë rekordin me Anglinë”. Me ritmin e tanishëm, sulmuesit të Totenhemit do t’i duheshin 4 vjet për të kapur Shirërin, dhe pritet që ai të vazhdojë në Angli edhe nëse largohet nga Spërsat.

Sfidanti.al