Eksperimentet janë në rend të ditës. Ndeshjet miqësore, që ende janë të mundshme për t’u luajtur, i ndihmojnë trajnerët për të provuar skema të reja dhe lojtarë të ndryshëm, pa u druajtur edhe aq nga rezultati, dhe kështu do të bëjë edhe Edi Reja. Trajneri i Shqipërisë po krijon pak a shumë idenë e mënyrës sesi do të luajë në stadiumin e Kardifit ndaj Uellsit në 5 qershor, dhe ka nisur t’i qartësojë idetë. Në portë pritet të jetë Gentian Selmani që luan në Turqi, ndërsa në krahë besimi mund t’u jepet Dokës që luan në Kroaci dhe Trashit. Në sulm, Reja dëshiron të shikojë sesi mund të jetë forma dhe gjendja e Balajt, që besohet ta çiftojë me Rej Manajn.
Cikalleshi është njohje e vjetër dhe trajneri nuk ka arsye ta provojë në miqësore, ndërsa Seferit mund t’i jepet mundësia në Uells ose në Çeki. Reparti që duket më i sigurt është mbrojtja me Ismajlin, Kumbullën e Gjimshitin, që të tre të Serisë A, ndërsa mundësi për t’u provuar kanë Veseli, Ajeti dhe Hoxhallari. Kombëtares i mungojnë Strakosha, Berisha, Hysaj dhe Roshi të dëmtuar, ndërsa Armando Broja është kaluar tek Shqipëria U21. Në 5 qershor, përfaqësuesja luan në fushën e Uellsit, ndërsa në 8 qershor ka miqësoren tjetër, në Pragë ndaj Republikës Çeke.
Formacioni i mundshëm (3-5-2): Selmani – Ismajli Kumbulla Gjimshiti – Doka Abrashi Bare Ramadani Trashi – Balaj Manaj.
Sfidanti.al