NBA, tre kualifikime dhe një ndeshje “monstruoze” e Donçiçit!

Atlanta arriti të kalojë turin e parë në plej of për herë të parë që nga viti 2016. Filadelfia respektoi parashikimet dhe u kualifikua për në raundin e dytë edhe pse nuk e pati yllin kryesor, Zhoel Embijd, dhe po këtë gjë bëri Juta Xhaz, skuadra më e mirë e sezonit të rregullt të NBA-së. Atlanta mundi Nju Jorkun 103-89 dhe u kualifikua me rezultatin 4-1. Po 4-1 fitoi Filadelfia që theu Uashingtonin 129-112, dhe gjithashtu 4-1 përfundoi dueli për Juta Xhazin që mposhti Memfisin 126-110.

Përtej këtyre fakteve, mbrëmja e basketbollit amerikan u ndriçua nga talenti i Luka Donçiçit, edhe pse Dallasi nuk është kualifikuar ende për më tej. Një paraqitje që u quajt “monstruoze” nga mediat amerikane, në fushën e Klipersave, në fitoren e Maveriksëve 105-100. Slloveni 22-vjeçar shënoi 42 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 14 asistë, duke humbur vetëm 4 herë topin. Ai gaboi jo pak në gjuajtje (17-37), por udhëheqja e tij në parket, entuziazmi dhe energjia i dhanë forcë shokëve të ekipit. Hardëuej shënoi 20 pikë për Dallasin, Marjanoviç pati 9 pikë e 7 topa në tabela, Porzingis 8 pikë e 6 topa në tabela. Tek Klipersat, yjet kryesorë ishin “normalë”, me Kauai Leonardin që shënoi 20 pikë, ndërsa Pol Xhorxh ishte më mirë me 23 pikë, 10 topa në tabela e 6 asistë, si dhe 3 bllokime gjuajtjesh. Dallasi kryeson 3-2 dhe nëse fiton ndeshjen e radhës në fushën e tij, kualifikohet.

Sfidanti.al