Në kulmin e Luftës Civile në SHBA, presidenti i atëhershëm në Shtëpinë e Bardhë, Abraham Linkolni, në përgjigjen që i dha sindikatave angleze, shkruajti: “Ne duam një botë kur jeta njerëzore të vlejë më shumë se kapitali”. Në ditën e sotme, një nga miliarderët e njohur amerikanë, Mark Kuban, pronari i klubit të NBA-së Dallas Maveriks, deklaroi se “kriza e koronavirusit na mësoi që të kujdesemi më shumë për punonjësit e kompanive tona, sesa për aksionerët”.
Në klubet e Premier Ligës angleze këto parime mesa duket nuk kanë mbërritur ende. Pas skandalit me nxjerrjen në asistencë të punonjësve të thjeshtë (që paguhen me 2-3 mijë paundë në muaj), por duke paguar plotësisht futbollistët (me rroga mbi 100 000 paundë në javë), bordet drejtuese realizuan proçkën tjetër. Shpenzuan 1.26 miliardë paundë stërlina për përforcime, në të njëjtën kohë që përbetohen se janë në krizë të plotë financiare, pa tifozë në stadium, e duke menduar të heqin punonjës nga puna (si maskotin e Arsenalit, që tani do ta paguajë Mesut Ozili nga rroga e tij). Një tjetër provë se pasaniku nuk ia di hallin njeriut të thjeshtë, dhe se ky i fundit duhet të luftojë për të drejtat e veta.
Sfidanti.al