Mançester Siti – dominues, por Guardiola do përforcime të reja!

Mançester Siti po luan, në mënyrë fantastike, në sezonin e dytë nën drejtimin e Pep Guardiolës, duke shënuar suksese në të gjithë frontet, ndërsa arritjen më të madhe e ka në Premier Ligë, ku ka arritur 16 fitore në 17 ndeshje. Por, megjithatë, trajneri spanjoll i Sitit do që ta rifreksojë ekipin e vet, gjatë sezonit dimëror (janar) të transferimeve. Madje, Guardiola nuk e fsheh aspak këtë synim dhe, në qendër të vemendjes së tij, janë dy emra: Injigo Martinez i Real Sosiedadit dhe Virxhil Van Dajk i Sauthemptonit.

Një opsion më i lirë dhe më realist është Martinez, kluazola e blerjes së të cilit është 29 milionë sterlina, ndërkohë që ai është një lojtar që ka bërë një emër të mirë në Primera dhe me përfaqësuesen e Spanjës ka luajtur katër ndeshje. Van Dajku që është objektiv edhe i Liverpulit, është emri i dytë që synohet, por për të do të duhet që të shpenzohen shumë para. Pepi, në qendër të mbrojtjes, ka Stounsin dhe Kompanin që, tani, janë të dëmtuar.

Sfidanti.al