Kur fiton në fushë, suksesi vjen edhe jashtë saj. Liverpuli nënshkroi një kontratë të re sponsorizimi për fanelën, me vlerë rekordmene në futbollin anglez. Klubi njoftoi zyrtarisht marrëveshjen me kompaninë amerikane Najk (Nike), më e madhja në botë për veshjet sportive, një akord që arrin në 80 milionë paundë stërlina, apo 94 milionë euro në sezon.
Liverpuli nuk sqaron kohëzgjatjen e kontratës, por mediat britanike njoftojnë se shifra e re kalon rekordin e mëparshëm anglez të mbajtur nga Mançester Junajtid, me vlerë 83.5 milionë euro në sezon me kompaninë gjermane, Adidas. Kontrata e mëparshme e sponsorizimit të fanelës ishte me kompaninë Nju Balans (Neë Balance) që prej vitit 2015, me vlerë shumë më të vogël sesa kjo me Najkun.
Rekordi i të ardhurave i përgjigjet sukseseve të skuadrës së trajnerit Jurgen Klop që u shpall kampione e Europës majin e kaluar, duke mundur Totenhemin në finalen e Championsit, fitoi Kupën e Botës për klubet ndaj Flamengos, ndërsa ndodhet në krye të Premier Ligës angleze, me diferencë të madhe me rivalët.
Liverpuli ka mundur radhazi Mançester Sitin, Leisterin apo Çelsin, dhe duket se do ta fitojë më në fund titullin kampion në Angli pas 30 vjetësh. Pavarësisht se të kuqtë dolën në vend të parë në Angli, rekordin botëror vazhdon ta ketë Barcelona, me kontratë mbi 100 milionë euro në sezon po me Najkun.
Sfidanti.al