“Vetoja” për moslargimin e Kavanit nga PSG u vendos nga Tuheli!

Nuk ka pasur mundësi t’i japë shumë kohë në fushën e lojës, dhe jo vetëm për shkak dëmtimi. Tomas Tuhel e ka përdorur “me pikatore” Edinson Kavanin, por sërish e cilëson uruguajanin të domosdoshëm. Përse kështu? Përgjigjen e jep vetë trajneri gjerman i Paris SG, që deklaron se “ne duam të fitojmë çdo trofe për të cilin luftojmë, dhe për këtë na duhet një skuadër me shumë lojtarë, po ashtu duam të krijojmë një mentalitet grupi, dhe Kavani është pjesë e grupit”.

Në moshën 32-vjeçare, sulmuesi ka nevojë që të luajë, diçka që nuk e ka të lehtë në “Park dë Prensis”, pasi aty ndodhen Mbape, Nejmar dhe Ikardi. Kavani është një nga sulmuesit më të mirë të brezit të vet, pse jo edhe të të gjitha kohëve, dhe ka kaluar shifrën e 400 golave me klubet dhe kombëtaren. Ai është rekordmen i golave tek Paris SG me 198 gjithsej, nga të cilët 136 në kampionat. Arsenali dhe Mançester Junajtidi kanë bërë kërkesa zyrtare, sipas mediave britanike, por francezët nuk kanë dëshirë të mbeten pa yllin e tyre të vjetër. Me gjasë, edhe Atletiko e Madridit ishte e interesuar për të, pasi trajneri Simeone kërkon gola, por gjithashtu “sulmi” i saj nuk pati sukses.

Sfidanti.al