Klop ende beson tek mrekullia e Championsit për Liverpulin

Në renditjen e fuqisë financiare, ky klub është në vendin e 9-të në botë, dhe prapa Çelsit, Arsenalit, Mançester Sitit e Mançester Junajtidit. Pra, përsa i përket parave, Liverpuli nuk mund të jetë në Champions sezonin e ardhshëm, me Premier Ligën angleze që ka maksimumin e mundshëm të vendeve, por që janë deri në katër. Edhe nëse shikon formacionin me të cilin zbriti në fushë për ndeshjen e kampionatit ndaj Bërnlit, “redsat” vështirë të ta mbushin mendjen si kandidat i fortë.

Minjole, Klajn, Klavan, Matip, Milner, Xhan, Vajnaldum, Udbërn, Origi, Lukas Leiva nuk janë emra që të bëjnë të hidhesh përpjetë, edhe pse ata janë futbollistë shumë të mirë. Gjithsesi, trajneri emocional Jurgen Klop ka besim se Liverpuli do të dijë të hyjë në katërshe dhe të sjellë përsëri në “Anfild” futbollin e nivelit më të lartë europian, Championsin. Fitorja 2-1 ndaj Bërnlit ishte e vështirë, por tepër e rëndësishme pas suksesit ndaj Arsenalit. Gjashtë pikë në dy ndeshje, dhe për momentin skuadra e Klopit ka 55 pikë, një më pak se Totenhemi e Siti, pesë më shumë sesa Arsenali e gjashtë mbi Man. Junajtidin.

Gjithsesi, Arsenali e Man. Junajtid kanë nga dy ndeshje në dorë, pra mund ta arrijnë e madje edhe ta kalojnë Liverpulin, ndërsa Totenhemi e Siti kanë luajtur nga një ndeshje më pak. Kur mbeten edhe 11 javë kampionat, pra edhe 33 pikë në lojë, të kuqtë e “Anfildit” nuk duhet të bëjnë asnjë gabim që besimi i Klopit të shpërblehet. Nëse nuk do të shkojnë në Champions sezonin tjetër, ky do të ishte përfundimi logjik, edhe pse keqardhës për një klub kaq të madh, pesë herë kampion të Europës.

Sfidanti.al