Kardiologë dhe paketa falas, ky është plani i ndeshjeve në Angli!

Po bëhet një kohë e gjatë pushimi, dhe rifillimi i sezonit pritet të jetë i vrullshëm. Një ndryshim i tillë drastik i ritmit të aktivitetit mund të ndikojë për keq tek yjet e futbollit, dhe klubet e Premier Ligës e kanë shumë të qartë diçka të tillë, e duan që t’i dalin të keqes përpara. Ata do të pajtojnë kardiologë, pra mjekë të specializuar për zemrën, për të kontrolluar futbollistët e tyre, dhe për të përgatitur më mirë planin e stërvitjes si dhe të aktivizimit. Jo më kot, që nga 2015-ta e deri më sot kanë humbur jetën më shumë se 30 lojtarë në të gjithë botën, shumica nga zemra.

Klubet kanë edhe një plan tjetër që po e diskutojnë me televizionet, dhe për të cilin besohet se është dakord edhe qeveria. Ndeshjet duhet të jepen në televizion pa pagesë, dhe kjo për të ruajtur distancimin shoqëror. Nëse do të ishin me pagesë, kuptohet që jo të gjithë tifozët do të kishin abonimin, dhe me shumë mundësi njerëzit do të shkonin në shtëpitë e njëri-tjetrit për të ndjekur futbollin. Nëse do të jenë falas, secili mund ta shohë në shtëpi të vet.

Sfidanti.al