Interi dhe Milani i kanë dërguar mesazhe inkurajuese Zllatan Ibrahimoviçit, pas informacioneve se ai mund të jetë i detyruar që të qëndrojë jashtë fushave të futbollit deri më 2018. Sikurse dihet, ky lojtar suedez, të enjten e fundit, dëmtoi gjurin në ndeshjen e Ligës së Evropës me Anderlehtin. Në pritje të rezultateve më të detajuar, disa mediume kanë publikuar lajme për një dëmtim të rëndë të Zllatanit, se ai ka dëmtuar dy ligamente dhe se ai do të jetë i detyruar që të pauzojë 8-9 muaj.
Duke pasur parasysh një parashikim të tillë, i bie që Ibroja të kthehet në fushë në fillim të vitit 2018, ndërkohë që, duke e ditur se ai është, tanimë, 35 vjeç, shumëkush ka frikë se dëmtimi që ka pësuar, mund të shënojë edhe fundin e karrierës së tij. Pas lajmeve të tilla ogurzezë, Interi dhe Milani, dy klube, me të cilët ka luajtur “Ibrakadabra”, i dërguan atij mesazhe inkurajues. “Fitimtarët e vërtetë, asnjëherë, nuk dorëzohen. Forca, Ibrahimoviç”, vihej në dukje në mesazin e “neroazurëve” në twitter.
Sfidanti.al