Entoni Xhoshua dhe Vladimir Kliçko do të ndeshen të shtunën e ardhshme në stadiumin “Uembli” të Londrës në duelin, besohet, më të madh të boksit të zhvilluar ndonjëherë në tokën britanike. Gjithnjë e më shumë po flitet për Xhoshuan vendas si favorit për të fituar, ndërsa ukrainasi Kliçko besohet si një bast më i pasigurt. Kjo, në bazë të formës së kohëve të fundit ku “Vlad” u mund nga britaniku Tajson Fjuri, zbulimi i fundit i kategorisë së peshave të rënda në boksin profesionist.
Vetë Fjuri ka deklaruar se Xhoshua është një boksier “badibilldingu” dhe se duhet të tejkalojë veten që të mundë të barazohet me Kliçkon. Anglezi është 29 vjeç ndaj 40 të ukrainasit dhe diferenca në moshë mund të ndihet në prani të 90 000 spektatorëve. Sa mund të jenë të ardhurat për këtë ndeshje? Besohet se mund të lëkunden mes 40 deri në 50 milionë stërlina, apo 50 deri në 60 milionë eurove. Dy boksierët pritet të ndajnë mes tyre rreth 30 milionë stërlina (mbi 35 milionë euro) dhe këto janë shifrat më të larta të një dueli boksi në Angli.
Sfidanti.al