Kanales:“Desh vdiqa nga turpi në dhomën e zhveshjes të Realit!”

Talenti i dikurshëm i madh spanjoll, Serhio Kanales, zbuloi se çfarë ndjenjash kishte përjetuar, kur, për herë të parë, hyri në dhomën e zhveshjes së Realit të Madridit dhe pa yjet e mëdhenj të ekipit “mbretëror”. Kanalesi, si tinejxher (pa mbushur 20 vjeç), shkëlqeu në radhët e Rasing Santanderit, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdhenj spanjollë. Ishte Reali i Madridit ai që e fitoi “luftën” për këtë lojtar mesfushor dhe, kështu, ky futbollist i talentuar përfundoi në “Santiago Bernabe”, më 2010.

“Desh vdiqa nga turpi, kur, për herë të parë, duke qenë vetëm 18 vjeç, hyra në dhomën e zhveshjes së Realit. Nuk dija se ku duhet të ulesha dhe as pranë kujt! Isha rrethuar me futbollistë që unë i kisha idhuj. Sidoqoftë, më në fund, gjeta një qoshe dhe u ula. Isha në një dhomë me ata!”, tregon Kanalesi që, megjithatë, qëndroi vetëm një vit te Reali, pasi u dha hua te Valencia që, më vonë, e bleu atë përfundimisht. Tani, ai luan me Real Sosiedadin dhe nuk e realizoi dot ëndrrën e tij, pasi pësoi një numër dëmtimesh në gju.

Sfidanti.al