Ibrahimoviç! Më në fund Junajtid e ka yllin që priste prej kohësh!

Nuk duhej të kishte ardhur kaq vonë. është faji, ndoshta, i vetë Mançester Junajtidit që Zllatan Ibrahimoviç vuri këmbën në “Old Traford” në moshën 35-vjeçare. Tifozët e skuadrës së lavdishme, të mësuar me yje kontroversë dhe të mrekullueshëm, do të kishin dashur të shihnin më shumë sesa vitet e fundit të lavdisë së gjigandit suedez. Gjithsesi, ata duhet të jenë të kënaqur. Dy golat e sulmuesit i dhanë fitoren tepër të rëndësishme në fushën e Uest Bromit, pikërisht 2-0. Një rrjetë klasi dhe një me fat, për t’i kujtuar të gjithëve se Junajtid e ka tashmë një fytyrë. Pas lavdisë eksentrike të Xhorxh Bestit dhe Erik Kantonasë, të dy lojtarë të formacioneve kampione, ja ku vjen Zllatani.
Me 10 gola në 9 ndeshjet e fundit dhe 16 gola gjithsej këtë sezon, ai po mban mbi supe një Mançester Junajtid të fortë dhe të zot, ndonëse jo të shkëlqyer. Një skuadër tipike e Zhoze Murinjos, por pa yjet e shumtë që është mësuar të ketë në dispozicion, portugezi. Ibrahimoviç ndoshta do t’i ndihmojë yjet e rinj, Markush Rashford apo Antoni Marsial, që të rriten. Ndoshta, Pol Pogba (që po e merr veten) do të gjejë gjenialitetin e humbur. Murinjo shpreson që Ibra t’i japë dy vjet të mëdhenj. A do të mundë “taekwondo kid” t’i japë edhe trofe skuadrës së tij? Duket e vështirë, pasi Junajtid ndodhet 13 pikë larg kreut në kampionat, por ndoshta kupat janë më të mundshme për t’u fituar.