Një ndryshim vendi, shoqëruar me një kombinim të favorshëm të rrethanave bëri që të shpëtohej një jetë. Alan Rushel, lojtari i mbijetuar nga aksidenti i tmerrshëm ajror i Çapekoenses, doli nga spitali dhe tregoi diçka që askush nuk e kishte ditur përpara sesa ta thoshte ai. “Isha ulur pranë fundit të avionit, por Kadu Gauço më kërkoi që të vija më përpara dhe të lejoja të ulej një gazetar në vendin tim, në mënyrë që gazetarët të rrinin bashkë, – tha futbollisti, – unë, fillimisht, nuk doja, por më pas unë pashë se më përpara ishte (Xhekson) Folmani që më ftoi të ulesha pranë tij”. Rushel bëri pikërisht ashtu, dhe kur avioni u rrëzua përtokë, ai dhe Folman shpëtuan gjallë.
Për një njeri që nuk i njeh ndoshta ligjet e fizikës, spjegimi nuk mund të ishte veçse ai që dha lojtari 27-vjeçar. “Vetëm Zoti e di pse shpëtova, – foli ai, – më dha një shans të dytë”. E vërteta e thjesht është që mënyra sesi u përplas avioni bëri që pjesa ku ndodheshin dy futbollistët të mos merrte goditjen më të fortë, pra të mos shkatërrohej plotësisht, dhe në këtë mënyrë ata shpëtuan gjallë, ndonëse me plagë në trup.