Si është shëndeti i Mikael Shumaherit? A është në gjendje të kuptojë, të flasë apo edhe të ecë shtatë herë kampioni i botës në Formula 1? Sabinë Kehm, ish-menaxherja e tij, tashmë e tërhequr në punët e veta, lëshoi një deklaratë duke i hedhur “ujë të ftohtë” shpresave të tifozëve për të marrë vesh diçka mbi gjendjen e idhullit të tyre. “Shëndeti i Mikaelit nuk është çështje publike, – tha Kehm në një deklaratë, – ne nuk do të bëjmë asnjë komenrt për këtë. Ne duhet të mbrojmë sferën e tij intime, e shikuar në aspektin ligjor dhe afatgjatë, çdo deklaratë lidhur me të, do ta pakësonte sferën intime të Mikaelit”.
Shumaher pësoi aksident të rëndë në Alpet franceze në 29 dhjetor 2013, dhe u mbajt në spital në mjekim intensiv derisa u zhvendos në shtëpinë e tij në Zvicër, në shtator 2014. Kehm shtoi se ajo i kupton tifozët që interesohen për kampionin e dikurshëm, sot 47-vjeçar, madje familja Shumaher ka fjalë falenderimi për ta. “Ne do të krijojmë një nismë të quajtur “Nisma kurrë mos u dorëzo”, si shenjë falenderimi për atë që kanë bërë tifozët këta vjet për Mikaelin, si dhe për të nxitur njerëzit të sillen si Mikaeli që nuk dorëzohej kurrë”, – tha Sabina.