Lajpcigu u kthye sërish në krye të renditjes në Bundesligë pas suksesit 2-0 ndaj Hertës. Në stadiumin e vet, skuadra vendase dominoi plotësisht duke shënuar në pjesën e parë me anë të Vernerit dhe në të dytën me hungarezin Orban. Afërsisht 43 000 tifozë në “Red Bull Arena” mbetën padyshim të kënaqur me atë që panë, dhe besojnë se humbja e javës së kaluar në Ingolshtat, ishte thjesht aksidentale. Epërsia e gjermanolindorëve ishte e plotë, me 64 për qind zotërim topi, 16 gjuajtje drejt portës ndaj 3 të miqve nga Berlini, me kornet 9-1, dhe me dyfishin e pasimeve (602 ndaj 341). Rezultati duhej të kishte qenë më i thellë. Me këtë sukses, Lajpcigu u ngjit sërish i vetëm në krye të tabelës me 36 pikë kur duhet edhe një ndeshje deri në pushimin dimëror, duke pasur 3 pikë më shumë se Bajerni, që luan të dielën në fushën e Darmshtatit.