Seria A vazhdon të ketë një zot, dhe ky është Juventusi. Edhe pse me fitore minimale, sërish ia doli të merrte tri pikët ndaj Romës dhe të shkëputej si në vitet e kaluara. Gonzalo Higuain, disa herë i kritikuar, e tregoi se di t’i luajë ndeshjet e mëdha. Kur pati nerva të shënonte ndaj Napolit, ishte shumë më e lehtë të gjente rrugën e rrjetës ndaj kryeqytetasve. Ndeshja ishte tepër e fortë, dhe formacioni i ardhur nga Italia Qendrore mund ta kishte marrë fare mirë barazimin. Të besuarit e Spaletit luftuan fort dhe ishin në ofensivë pas golit të pësuar në minutën e 14-të, edhe pse në fushën e skuadrës më të fortë të kampionatit.
Rastet ishin për të dyja skuadrat. Higuain, Aleks Sandro dhe dy herë Sturaro për Juven, ndërsa në krahun tjetër Manolas, Xheko e Facio për Romën. “Kampionati është çështje centimetrash” ka thënë dikur ish-presidenti roman, Dino Viola. është vërtet çështje “centimetrash”, veçse tani më shumë me klasin e skuadrës së Maks Alegrit, sesa të gjyqtarëve. Juventus kryeson me 42 pikë ndaj 35 të Romë, ndërsa Milani mbeti me 33 pas gabimit në “San Siro” me Atalantën, ku barazoi 0-0 në mes të mjegullës.