Mohamed Salah mendon se mund të jetë gati për derbin e së shtunës në Premier Ligë ndaj Evertonit. Sulmuesi i Liverpulit u dëmtua të mërkurën në sfidën ndaj Sitit në Champions, dhe doli nga loja që pas 52 minutave, por u duk optimist pasi bëri një vizitë në spital të enjten. Ai nuk foli asnjë fjalë, por u bëri shenjë me gishtin lart tifozëve që po e prisnin jashtë spitalit.
Egjiptiani u duk pa asnjë problem ndërsa ecte drejt makinës së tij, ndërsa pritet që Liverpuli të thotë zyrtarisht se cili ishte rezultati i vizitës mjekësore të tij. Trajneri Jurgen Klop është në pritje të analizave, ndërsa ka shpresë që të mos ketë asgjë të keqe. “Shpresoj që të mos ketë asgjë serioze, – tha gjermani, – ai më tha menjëherë pas ndeshjes se “gjithçka është mirë”, dhe shpresoj të jetë kështu, por duhet të presim”. Sidoqoftë, Klopi mund ta kursejë Salahun ndaj Evertonit, edhe nëse do të jetë gati, për ta ruajtur për ndeshjen e dytë çerekfinale të Championsit ndaj Sitit.
Sfidanti.al