Guardiola tallet i nervozuar me Liverpulin pas sulmit të autobusit

Nuk ishte aq i rëndë sa ai që i ndodhi Dortmundit pak kohë më parë, por ishte tmerrues. Mançester Siti mbeti tepër i tronditur nga sulmi që iu bë autobusit të tij nga një pjesë e tifozëve të Liverpulit rrugës për në “Anfild”, ndërsa Pep Guardiola nuk e përmbajti dot zemërimin e tij.

“Faleminderit që na mbrojtët, faleminderit shumë”, – u dëgjua të thoshte ai në mënyrë sarkastike ndaj stafit të Liverpulit, kur po hynte në stadium në prag të ndeshjes së Championsit. Pas takimit, katalanasi foli për incidentin në konferencën për shtyp.

“Nuk e prisja aspak, pasi jam i ri këtu (në Angli), – tha ai, – normalisht, policia e dinte që mund të ndodhte, dhe duhej të kishte marrë masa. Autobusi është i shkatërruar dhe nuk e prisja që një klub aq i madh sa Liverpuli të kishte gjëra të tilla”. “Natyrisht, – rregulloi shënjestrën ai, më vonë, – këtë nuk e bëri qyteti i Liverpulit, banorët e tij. Padyshim, ishin fare pak persona dhe shpresoj të mos ndodhë më”.

Policia ka hapur hetime, ndërsa Liverpuli kërkoi falje që përpara ndeshjes. Dy agjentë të policisë u dëmtuan nga sendet e forta të hedhura, ndërsa këto dy ditë paskan qenë ditë të sulmeve të autobusëve, pasi diçka të tillë e bëri edhe kampioni i UFC-së, Konor Mekgregor.

Sfidanti.al