Sido që të përfundojë çështja ligjore për Asamblenë e Federatës Shqiptare të Futbollit, asgjë nuk do të jetë si më parë. Këtë e kanë kuptuar edhe ata që për momentin janë fituesit, edhe ata që në sallën e hotelit afër plazhit të Durrësit dolën të humbur.
Çështja e famshme, tashmë, e shoqatave, mesa duket është “kafshata” që ngel në fyt”, dhe hapi i parë juridik u hodh me vendimin e gjykatës civile në Tiranë për të mos e njohur Asamblenë. Edhe pse, në FSHF sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe sikur është çështje rutinë, sërish kuptohet që nuk është kështu.
Ligji, ky “tigër” që ka qenë “prej letre” deri tani, ka nisur të “kafshojë”. Pak rëndësi ka nëse ky kafshim është selektiv apo gjithëpërfshirës, sepse nëse gjykata arrin të kapet diku, atëherë është e vështirë që vendimet të përmbysen.
Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, i vuri pikat mbi “i” kur u shpreh në një televizion shqiptar (Telesporti) se “kjo ka ndodhur nga megalomania se jemi ne, dhe nuk ka të tjerë”, pasi “e kanë pasur të gjithë kohën për t’i dërguar shoqatat në gjykatë për t’i regjistruar”.
Mbetet të shihet sesi do të jenë vendimet e tjera në gjykatë, si dhe në rast apelimi, dhe se çfarë do të bëhet në KAS-in e Lozanës, por tashmë FSHF ka marrë një goditje, dhe jo thjesht një dëmtim në “fasadë”. Kjo sepse në një shtet që i thotë vetes sado pak ligjor, kur gjykata jep një vendim nuk mundet të ndërhyjë më askush, as UEFA apo FIFA. Këto të dyja “tromaksen” po panë qeverinë që vë duart tek futbolli, jo gjykatat.
Sfidanti.al