Sportet e ashtuquajtura luftarake si boksi apo MMA-ja kanë padyshim anën e tyre të errët, ndërsa mbeten në “biznes” vetëm nga instinktet e trashëguara të njeriut për të parë sesi kacafyten dy vetë. Tepër e errët ishte ajo që bëri Konor Mekgregori në Nju Jork kur sulmoi autobusin ku ndodheshin rivalë të tij. Irlandezi bëri padyshim një veprim kriminal kur mori objekte të forta dhe të rënda dhe i lëshoi në dritaren e autobusit, ndërsa më pas u ndalua nga agjentët e sigurisë të UFC-së (kampionati botëror ku ai bën pjesë).
Një nga luftëtarët, Majkëll Kieza, u godit dhe u ça në ballë, dhe po ashtu thuajse u dëmtua një nga kampionet e femrave, kurse autobusin e sulmuan edhe njerëz të tjerë të stafit të Mekgregorit, përfshi edhe Artjom Lobovin. Policia e Nju Jorkut ka lëshuar mandat arresti për Mekgregorin, sipas pronarit të UFC-së, Dejni Uajt, i cili u tregua shumë i ashpër me irlandezin.
“Nuk dua të kem të bëjë aspak me Konor Mekgregorin në këtë moment, – tha ai, – nuk dua të blej ndeshjet e tij, askush nuk e do një gjë të tillë tani. Mendoj se gjithkush e ka marrë zët Mekgregorin për këtë që bëri, dhe të mendosh se ai ka një fëmijë të vogël”.
Cilat ishin arsyet që e shtynë Mekgregorin të arrinte deri këtu? Së pari, ai ishte i revoltuar që UFC-ja i hoqi brezin e artë të kampionit absolut të peshave të lehta. Së dyti, ai u duk se po hakmerrej ndaj njërit prej rivalëve, Habib Nurmagomedovit që i kishte ofenduar shokun Artjom Lobov pak ditë më parë.
Rusi Nurmagomedov do të ndeshet këtë të shtunë me rivalin Maks Hollouej, pikërisht për titullin absolut në peshat e lehta, ndërsa më pas pritej një duel me Mekgregorin, i cili mesa duket duhet të shtyhet në kohë.
Sfidanti.al