Dëshpërimi i Hazarit: Vrapuam, por nuk luajtëm futboll!

Një shigjetë e pakursyer për Antonio Konten. Eden Hazar është nga ata që i thotë gjërat troç, dhe kështu bëri pas disfatës në fushën e Mançester Sitit. Mesfushori ofensiv belg, një nga talentet më të mëdhenj të botës, u ndje si “peshku pa ujë” në stadiumin “Etihad”, i vetmuar në mes të mbrojtësve vendas, Otamendi e Laporte.

“Kur trajneri më vendos në sulm, unë sërish përpiqem të jap maksimumin, por e kam të vështirë kur e prek topin tri herë gjatë ndeshjes, – komentoi ai, – edhe ne si lojtarë bëmë gabime, mund të kishim menaxhuar më mirë disa situata, por luajtëm kundër Sitit dhe nuk ishte e lehtë”.

“Ne nuk luajtëm me të gjitha cilësitë që kishim, – vazhdoi kritikat Hazari, – Nëse në sulm do të kishin qenë Zhiru apo Morata, do të kishte qenë më e lehtë pasi ata i kapin topat e gjatë, por jo unë. Kur dola nga fusha pata përshtypjen se ne vrapuam shumë, por nuk luajtëm futboll”. Çelsi u mund 0-1, ndërsa Hazar këshillon Konten që të ndryshojë taktikën kur të luajë në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, javën e ardhshme në Champions.

Sfidanti.al