Katalanasit tallen me Martin Glenin, shefin e Federatës Angleze

Kur nuk di, është më mirë të mos e hapësh gojën, ose të thuash ato gjëra që i ke të sigurta. Këtë nuk e mendoi aspak shefi ekzekutiv i Federatës Angleze të Futbollit, Martin Glen, në sulmin e tij të pakuptimtë ndaj Pep Guardiolës. Gjithçka, për shkak të fjongos së verdhë që trajneri i Sitit mbajti në ndeshjen ndaj Çelsit, në mbështetje të politikanëve të burgosur dhe të syrgjynosur të Katalonjës, që deshën pavarësi nga Spanja.

Njeriu “politikisht korrekt” dhe konformist, Martin Glen, deklaroi se nuk dëshiron të shohë simbole politike në ndeshje futbolli, duke përmendur përveç fjongos së Katalonjës, edhe svastikën e nazistëve, simbolin e ISIS-it, si dhe Yllin e Davidit (simbol i hebrenjve). Nga gjithë këto marrëzi që dolën nga goja e Glenit, ai mori një “dajak” nga Këshilli Udhëheqës Hebre, dhe “njeriu i fortë” nuk e pati problem të përkulte kurrizin dhe të kërkonte falje.

Nga Katalonja e shkretë nuk pati ndonjë zë të lartë, pasi krahina autonome që mëton pavarësinë nga Spanja nuk është aq e fuqishme. Nëse, në vend të Katalonjës do të kishte qenë Gjermania, Franca, Kina apo Rusia, atëherë “i forti” Glen nuk do ta kishte pasur problem ta ulte kurrizin për së dyti.

Ndoshta, Martin Gleni do të kishte bërë mirë të kishte rreshtuar edhe simbolet e ish-perandorisë britanike, tek gjërat që nuk duhen lejuar nëpër stadiume, pasi me marshet ushtarake, stemat mbretërore e flamurin, u pushtuan e u shfrytëzuan vende e popuj.

Sfidanti.al