Më parë Uigins, tani Alvarez, doping sërish përlyen sportin!

Apo më mirë të thuhet se vetë sporti përlyhet me doping? Ishin pikërisht këto “mënyra të shpifura dhe të ndaluara” që u bënë sebep për një perandor romak që të ndalonte Lojrat e Lashta Olimpike. Sot nuk pritet të ndodhë diçka e tillë, por ku i dihet kur dëgjon se Partia e Pesë Yjeve del e para në Itali, dhe se Trampi deklaron se SHBA më mirë të ketë një president të përjetshëm (Xhorxh Uashingtoni do të shkulte flokët me gjithë lëkurë)!

Le të kthehemi tek sporti dhe dopingu, pasi mjaftuan dy raste të reja që gjithçka të kthehej në një skandal të ri. Sër Bredli Uigins, krenaria e çiklizmit britanik, dhe Kanelo Alvarez, boksieri i fortë nga Meksika, janë përfshirë në “përlyerjen” e fundit. Uigins, fitues i Turit të Francës, akuzohet për përdorim të substancës së ndaluar triamcinolon, ndërsa Alvarez doli pozitiv për substancën tjetër, klenbuterol.

“Kam përdorur triamcinolon, por ishte brenda rregullave, – tha Uigins në një intervistë për BBC-në, – çfarë ishte brenda asaj çante? Vetëm Zoti e di!” Parlamentarë britanikë e akuzuan Uiginsin si mashtrues, ndërsa pritet që hetimet të vazhdojnë. Alvarez priste që të ndeshej me Genadi Golovkinin, në revanshin e përballjes për titull botëror në peshat e mesme, por tashmë gjithçka është në dyshim. Boksieri dhe agjentët e tij fajësuan “mishin e kontaminuar” për rezultatin e testit. Shumë gjëra shpiken, aq sa një njeri i pamësuar mund të përfundojë në lot, por skandalet e dopingut po bëhen më të fortë edhe sesa mallëngjimi.

Sfidanti.al