Nuk është më në moshën 18-vjeçare, por lumturinë e ka të madhe. Kanë kaluar 18 vjet të tjera që kur Kristiano Ronaldo u prezantua nga Sër Aleks Fergusoni në “Old Traford”, si lojtari i ri i Mançester Junajtidit. Pasi shkëlqeu për 6 vjet me “djajtë e kuq” duke fituar gjithçka që mund të fitohej, ai u largua për më shumë se një dekadë, për t’u kthyer tani me synim që të këndojë këngën e fundit. Ronaldo 36-vjeçar u fotografua për herë të parë në rikthimin e tij tek Junajtidi, me fanelën e kuqe, të cilën do ta mbajë që këtë shtator.
Kjo do të thotë se kontrolli mjekësor përfundoi me sukses, dhe se ai do të ketë dokumentacionin në rregull për të shkuar në Angli. Rroga arrin në 28 milionë euro në sezon bashkë me shpërblimet, dhe kontrata është dyvjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Ronaldo mund të luajë në “Old Traford” deri në moshën 39-vjeçare. Reagimet janë fantastike nga Mançesteri, ku tifozët janë të lumtur, trajneri Solskjer i gëzuar, dhe pronarët e familjes Glejzër të qetë sepse mund të mos ketë më kritika.
Siç raportojnë mediat, CR7 ka realizuar plot 783 gola për Sportingun, Junajtidin, Realin, Juventusin dhe Portugalinë. Ka fituar 32 trofe në karrierë dhe 5 Topa të Artë. Tashmë pritet që Ronaldo të kontribuojë me gola, ndërsa besohet se do të mbajë fanelën e tij të famshme me numrin 7. CR7 është i vendosur të ndihmojë “djajtë e kuq” që të fitojnë trofe, sidomos titullin në Premier Ligë që mungon prej 2013 dhe Championsin që nuk fitohet nga 2008.
Sfidanti.al