Arteta është trajneri i ri, por Arsenali mund të pësojë “rebelim”!

Nga Anglia thuhet se ai do të prezantohet zyrtarisht për 48 orë, veçse atmosfera në “Etihad” mund të mos jetë sërish shumë e mirë. Mikel Arteta pritet të jetë, me 100 për qind të gjasave, trajneri i ri i Arsenalit, ndërsa është gjetur akordi me Mançester Sitin, por një koment në rrjetet sociale krijoi shqetësim. Në një dialog në Instagram, vëllai i Pjer-Emerik Obamejangut, Uilli, komentoi me fjalë jo shumë të mira zgjedhjen e bërë nga drejtuesit.

“Arteta apo Ljungbergu, është e njëjta gjë, – shkruajti ai, në përgjigje të një komenti, – janë trajnerë pa përvojë”. Arteta vërtet nuk ka përvojë si trajner i parë, pasi ka qenë vetëm ndihmës i Pep Guardiolës tek Siti, por gjithsesi komenti publik i Uilli Obamejangut padyshim nuk e bën më të mirë atmosferën tek Arsenali. Klubi londinez është tronditur nga rezultatet e dobëta, dhe nga shkarkimi i ish-trajnerit Unai Emeri, ndaj edhe çdo polemikë e brendshme mund ta dëmtojë edhe më shumë. Arteta pritet të firmosë kontratë 3.5 vjeçare me rrogë 5 milionë paundë stërlina në sezon, ndërsa Siti do të kënaqet me dëshpërblim prej 1 milionë paundësh.

Sfidanti.al