Premier Liga është një ligë futbollistike profesioniste e klubeve anglezë të futbollit, por në të luajnë edhe disa klube të Uellsit. Ajo përbën divizionin (kategorinë) më të lartë në sistemin e Ligave të Anglisë dhe në të marrin pjesë 20 klube futbolli. Premier Liga ose kampionati anglez zhvillohet gjatë periudhës gusht – maj dhe, gjatë saj, çdo ekip luan 38 ndeshje.
Deri në vitin 2016, ky kampionat është quajtur Premier Liga Barclays (sipas emrit të sponsorit), por, qysh nga ky vit, ajo nuk e ka më sponsorin kryesor (Barclay). Përtej kufijëve të Anglisë, kampionati i kësaj të fundit njihet, rëndom, me emrin Premier Ligë.
Ky turne ose kampionat është krijuar më 20 shkurt 1992, duke u quajtur “Premier Liga e Shoqatës së Futbollit”, pasi klubet e Divizionit të Parë vendosën që të dilnin nga Liga e Futbollit, të krijuar në vitin 1888, me qëllim për të përfituar më shumë në planin financiar, në radhë të parë, për të fituar më shumë nga të ardhurat e siguruara nga shitja e të drejtave për transmetimet televizive. Që atëkohë, Premier Liga është bërë kampionati më popullor i futbollit në botë. Po ashtu, Premier Liga është liga futbollistike më fitimprurëse në botë.
Në Premier Ligë, kanë luajtur 45 klube të ndryshme, por vetëm gjashtë prej tyre e kanë fituar titullin e kampionit të saj: Mançester Junajtid – 13 herë, Çelsi – 4 herë, Arsenali – 3 herë, Mançester Siti – 2 herë, Blekbërn Rovers dhe Lester Siti – nga 1 herë. Titullmbajtës aktual është Lester Siti që e fitoi, për herë të parë në historinë e tij, Premier Ligën, gjatë sezonit 2015 – 2016.